Header Ad

Categories

Most Viewed

Spiuni i Sigurimit: Historia e agjenturave greke dhe Sigurimit te Shtetit

Agjenturat Greke dhe Sigurimi i Fshehtë i Shtetit Shqiptar

Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Bekim Budo, në librin e tij
“Shërbimi i fshehtë” pasqyron një dosje interesante të një
agjenti grek me pseudonim Papastrati, arrestuar nga shërbimi i fshehtë shqiptar në vitin 1971. Sipas librit të Budos, interesant është fakti se në vazhdimësi agjentura greke zhvillonte veprimtarinë e saj në Shqipërinë e Jugut dhe kishte në dispozicion informatorë të frytshëm, tejet të përgatitur. Në vitet ´70-të, Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte rënë në gjurmët e kësaj veprimtarie dhe arriti të kapte, falë një kombinimi të përsosur, Papastratin, përgatitur në shkollën e spiunazhit të vendit fqinjë, i cili tregon përpara hetuesve se si ishte vënë në shërbim të grekëve.
Kontaktet e tij të para, thuhet në libër, ishin bërë me gjeneralin grek, Vasil Mellaj, që kishte qenë komandant divizioni i trupave greke në Gjirokastër, e me të e kishte njohur patrioti i tij nga Derviçani, V. Shahini, i cili kishte spiunuar me kohë.
Gjenerali drejtonte dhe një zyrë të shërbimit të fshehtë të zbulimit ushtarak grek “Alfa&Dhio”. Megjithatë, sipas dokumenteve
të hetimit të Papastratit, gjenerali grek kishte marrë informacion
për agjentin, duke pasur edhe lidhjet e tij të afërta në Shqipëri dhe Greqi, P. Kotokon, O. Anastasjadhin. Pas verifikimit, gjenerali urdhëron S. Vllahon dhe P. Kotokon të krijonin
organizatën antishqiptare MAVI (Metopo Apolefterikon
Vorio&Epirotiku), në kryesinë e së cilës u caktua edhe Papastrati së bashku me V. Shahinin e J. Diamantin, të njohur për ndjenjat filogreke dhe tepër aktiv në veprimtarinë e tyre praktike për aneksimin e trojeve shqiptare. Gjenerali grek e kishte porositur agjentin që të riaktivizonte agjenturën e vjetër dhe të bënte rekrutime të reja, sidomos nga radhët e minoritetit, grekofilëve, grekofonëve, si dhe nga radhët e studentëve dhe nxënësve shqiptarë që studionin ose që kishin kryer studimet në shkollat greke.
Agjentura kryesore kishte për detyrë organizimin e grupeve agjenturore, të cilat do të ishin bërthama të të rezidenturave në përputhje me situatat agjenturore dhe politike. Kur isha duke përgatitur një leksion për studentët e Akademisë së Policisë, mora leje për të hulumtuar në dosjet operative, ku ishin regjistruar
dëshmi agjentësh dhe informacione të tjera të rëndësishme spiunazhi. Mbaj mend se në njërën prej këtyre dosjeve, ministri Kol Bib Mirakaj, njëherazi edhe sekretar i Partisë Kombëtare Fashiste shqiptare, i dërgon Ministrisë së Arsimit një shkresë rezervate
me nr. 3329, datë 11 korrik 1942, lidhur me aktivitetin e shërbimit të fshehtë grek dhe qarqeve shoviniste të vendit fqinjë. Mirakaj i përgjigjej një shkrese të Ministrisë së Arsimit nr. 390 datë 15.4.1942/ XX rezervate dhe një tjetër shkrese të ministrisë së tij nr. 2669/Pol. 27/D/84 Res, që kishin informacion
lidhur me listat emërore të mësuesve grekofonë të qarkut të Gjirokastrës, bashkë me informatat përkatëse të marra pjesërisht
nga sekretarët politikë dhe nga KK e MM.

Listat që i bashkëngjiteshin këtij dokumenti ishin grumbulluar
nga shërbimi i fshehtë i mbretit Zog, nga shërbimi i fshehtë diplomatik dhe nga sekretarët politikë të Partisë Fashiste, të cilët mbaheshin në lidhje agjenture e zbulim-kundërzbulimi. Në këto lista bie në sy numri i madh i mësuesve, të cilët kishin studiuar për mësuesi në shkollat greke dhe ishin të shpërndarë në 163 shkolla të Shqipërisë së Jugut, mësimet e të cilave ishin në gjuhën greke, që përbënin dyfishin e shkollave në gjuhën turke
po në këto territore.
Në karakteristikat pranë emrit të secilit mësues, janë shënuar
shkurtimisht qëndrimet e tyre në raport me qeverinë e Zogut, ndjenjat shoviniste, si dhe në raport me ndjenjat kombëtare.
Predominojnë karakteristikat pozitive të tyre në këto raporte në masën prej rreth 70 për qind. Nga konstatimi në dosje,
vura re se problemi ishte më i thellë dhe nuk ishte marrë sa duhet në konsideratë sinjali i alarmit i dhënë nga konsulli i Janinës, Xhemal Frashëri, i cili midis të tjerave theksonte: “Shkolla e Vellasit, e cila dirigjohet nga dhespoti i Janinës, Spiridhoni, një armik i rreptë i Shqipërisë, është ngritur vetëm e vetëm për të përgatitur me kulturë dhe me ndjenja greke rininë e fshatrave grekofonë të Prefekturës së Gjirokastrës, me anë të propagandës helmuese për të arritur qëllimin kryesor satanik, i cili është bashkimi i të ashtuquajturit Vorio-Epir me Epirin. Po nuk morëm masa të rrepta, them me bindje se shkolla në Vellas do të jetë varri i Gjirokastrës”. Nga materialet e tjera të hulumtuara
është mjaft afër realitetit të ngjarjeve që bën të mundur krijimin dhe pompimin e “Megalli Idesë”, apo idesë së madhe, një rrëfim i një agjenti potent grek me pseudonimin Papastrati, i cili përfaqëson tipikisht në mënyrë të koncentruar një veprimtari sa armiqësore ndaj vendit tonë, aq edhe përbuzëse ndaj Shqipërisë.
Në letrën informative të Ministrisë së Arsimit shkruhet: “Është interesante të theksojmë se ky rrëfim është edhe një sintezë e një veprimtarie për më shumë se një shekull e shovenëve, përfaqësues ekstremistë të një nacionalizmi absurd në dëm të një vendi tepër paqësor e miqësor, i cili historikisht
ka dhënë një ndihmesë të madhe me anë të komunitetit shqiptar në Greqi, arvanitasve, si Kollokotroni, Karaiskaqis, Bubulina e Boçari, të cilët ishin edhe protagonistë kryesorë të revolucionit grek të vitit 1821, gjë që edhe në historinë moderne të këtij vendi ky kontribut mohohet padrejtësisht. Kundër këtij vendi autokton, fqinjë prej mijëra vjetësh, pas fitimit të pavarësisë,
qarqe të caktuara shovene, megalomane dhe aventuriere,
në vitin 1867, krijuan organizatën “Vllazëria Qendrore Kulturore”,
si dhe klubin “Sillogun vorio-epirot”, të cilat, shkallë-
shkallë, do të përbënin bazën e organizatës famëkeqe QEVA (Komiteti Qendror i Përpjekjeve Vorio-Epirote), duke marrë dhe pëlqimin e Patriarkanës së Stambollit. Në krye të kësaj organizate do të vendosej lunxhioti, Kristaq Zografi.

Më 6 qershor 1888, krijohet në Greqi nga Dhimitër Boçari, shoqëria “I vllamidhes Allvani Vllamet” – “Vëllezërit shqiptarë” me një platformë kundër kombit shqiptar për pengimin e gjuhës së shkruar shqipe në alfabetin latin mbi bazën e një strategjie, që kishte qëllim kryesor helenizimin e popullsisë së Shqipërisë së Jugut dhe më gjerë me një propagandë që mbivlerësonte dukshëm kulturën greke, duke nënçmuar kulturën shqiptare”. Shërbimi i fshehtë i qeverisë së asaj kohe njoftonte për një marrëveshje të fshehtë midis Patriarkanës së Stambollit me qeverinë greke, ku u vendos që myslimanët e Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe të Shqipërisë të konsideroheshin turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë të konvertoheshin në helenë dhe të administroheshin nga Greqia, pasi shqiptarëve u mohohej kategorikisht aftësia shtetformuese, edhe pse historikisht kishin dhënë prova, madje edhe në Greqi, duke i dhënë asaj jo pak, por rreth 20 kryeministra qysh nga Miauli, Kanari, Kryeziu e deri dhe vetë Lefter Venizellosin, të cilët ishin të gjithë arvanitas, pa bërë fjalë këtu se edhe presidenti i parë grek, Pavllo Kondurjoti, dhe presidenti tjetër, Theodhoros Pangallos, ishin me origjinë shqiptare dhe në mjediset miqësore e familjare komunikonin në gjuhën shqipe.

Nga letrat që ndodheshin në Arkivin e Ministrisë së Brendshme,
në dosjen e agjentit grek Papastrati, mësohet se “Megali-idea” dhe të tjera synime të tyre, amplifikon akoma më shumë dhe bëhen shpejt udhëheqje për veprim në marrëdhëniet e mëvonshme me shtetin tonë, me të cilin qysh pas 28 nëntorit 1912 kishin filluar kontradiktat e mprehta dhe diplomacia
e saj mori orientime të qarta nga qeveria greke për sensibilizimin
e opinionit ndërkombëtar për gjoja të drejtën e saj për aneksimin e Epirit të Veriut, të konsideruar prej tyre si tokë greke
dhe duke u munduar ta justifikonin dhe argumentonin
historikisht, sidomos me ekzistencën e minoritetit grek në trojet tona autoktone.
Këto kontradikta shpërthyen kur Konferenca e Ambasadorëve
më 8 gusht 1913 përcaktoi kufijtë e Shqipërisë. Edhe pse kufijtë e vendosur nga komisionerët e huaj anglo-francezë dhe italianë kishin lënë jashtë tyre troje të konsiderueshme të populluara nga shqiptarë autoktonë, grekët dhe një pjesë e mësuesve grekofonë kishin përgatitur, veç të tjerave, nxënësit e shkollave greke të paraqiteshin para tyre, duke u prezantuar si grekë, duke thënë se “Ego ime Elinas” (Unë jam grek) etj. Në të njëjtën kohë, ata provokojnë Konferencën e Korfuzit më 1913, e cila në vendimet e majit 1914, i vuri kushte qeverisë shqiptare
për të zbatuar një plan special për minoritetin dhe Vorio-Epirin, në mënyrë që ajo të ishte në çdo kohë prezente në këto treva, si dhe t´i kishte fillimisht nën kujdestari, probleme që ai i ngriti në forume ndërkombëtare e deri në Konferencën e Firences në vitin 1921. Por, siç e dimë nga historia, planet e grekëve u bënë pa hanxhinë.

Kongresi i Lushnjës dhe lufta e Vlorës bënë të mundur legalisht, që marrëveshja Titoni-Venizellos për ndarjen e Shqipërisë
të mbetej në letër dhe të zbatohej ilegalisht nga shërbimet e fshehta të këtyre vendeve për t´i bërë fakte të kryera në të ardhmen.
Pikërisht këtë e rrëfen më së miri agjenti potent grek, Papastrati.
Në materialet e hetuesisë së asaj kohe shkruhet: “Në Tiranë, në zyrat e hetuesisë u paraqit agjenti grek me pseudonim Papastrati, më 22 shkurt 1971, që për shkak të statusit të tij, të themi special dhe të veçantë, e mori në pyetje zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Hetuesisë. Agjenti grek vazhdoi rrëfimin e aktivitetit të tij në shërbim të zbulimit grek. Mes të tjerash, ai thotë se: “Pasi mbarova arsimin e mesëm në Zozimea Skoli, vazhdova
arsimin e lartë në Athinë, për Mësuesi, të cilin e mbarova me rezultate të larta. Ndërkohë, bashkë me dy bashkëfshatarët
e mi nga Klishari, ishim anëtarësuar në Sillogun Vorio-Epirot, me qendër në Athinë, ku në një nga mbledhjet e radhës, kryetari i tij, Kristaq Zografo, që më ka mbetur në kujtesë, na foli për perspektivën tashmë të hapur me pëlqimin e qeverisë greke dhe të Patriarkanës së Stambollit, që t´i përvisheshim punës për aneksimin e Vorio-Epirit, që sipas tij, ato ishin toka greke qysh në lashtësi dhe se e kishin amanet nga të parët që ëndrrën e tyre ta bënin realitet sa më shpejt. Pasi që ishin krijuar të gjitha kushtet, ishin mënjanuar të gjitha pengesat dhe jo vetëm kaq, gjithnjë sipas Kristaqit, ishte marrë pëlqimi i vetë vendeve vendimmarrëse kryesore të Evropës, Angli – Francë

– Itali. Nuk kam pse ta fsheh, u entuziazmova për faktin, sepse
Shqipëria në atë kohë ishte një vend tërësisht anadollak, tepër
i prapambetur, pa kulturë dhe intelektualë; sëmundjet bënin
kërdinë; pa alfabet, pa gjuhë të shkruar, pa shkolla, dhe mendoja
në atë kohë së me Greqinë dhe kujdestarinë e saj, Shqipëria do të shkonte përpara në arsim, kulturë, rimëkëmbje etj”.
Dora-dorës Papastrati ishte bërë një nga përkrahësit kryesorë
të Zografos. Më tej ai dëshmon: “Në këto aktivitete jam njohur edhe me patriotin tim nga Derviçani, Vasil Shahinin, i cili, mesa duket, më kishte studiuar me kohë dhe më rekomandoi
te gjenerali grek, Vasil Mellaj, i cili kishte qenë komandant divizioni
i trupave greke në Gjirokastër dhe që drejtonte dhe një zyrë të shërbimit të fshehtë të zbulimit ushtarak grek, “Alfa-Dhio”. Gjeneralit i pëlqeva qysh në fillim për njohuritë e mia, për historinë e kulturën helene, jo vetëm atë moderne, por edhe për lashtësinë, çka me vonë krijoi besim të plotë, duke pyetur edhe për lidhje të tij të afërta në Shqipëri dhe Greqi, sidomos Pandelejmon Kotokon, Orest Anastasjadhin, e të tjerë. siç e mora
vesh më vonë prej tyre. Kështu, gjenerali urdhëron Spiridhon
Vllahon dhe Pandelejmon Kotokon të krijonin organizatën
antishqiptare MAVI (Metopo Apolefterikon Vorio-Epirotiku),
në kryesinë e së cilës u caktova edhe unë së bashku me Vasil Shahinin e Jani Diamantin, tashmë të njohur për ndjenjat filogreke dhe tepër aktiv në veprimtarinë e tyre praktike për aneksimin e trojeve shqiptare”.

https://youtu.be/r_gqeRkAFog

    Leave Your Comment

    Your email address will not be published.*