Header Ad

Categories

Most Viewed

«Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore» Shkeputur nga libri i Faik Konices

KREU IX Feja I Pasardhësit zakonisht i ngjitin një etiketë me pak fjalë çdo shekulli të kaluar: bashkëkohësve, duke qenë në shtjellën e ngjarjeve, u mungon perspektiva e nevojshme për të përgjithësuar tiparet karakteristike të kohës së vet. Ka mundësi që njerëzimi në të ardhmen ta mbiquajë epokën tonë si një mashtrim në ngut e sipër. Një shfaqje e kësaj prirjeje të sëmurë të ditëve të sotme është mania jonë për t’ia përplasur në fytyrë publikut një të ashtuquajtur informacion për çështje rreth të cilave ndodh që ne vetë nuk dimë absolutisht asgjë. Mendime të tilla ndonjëherë mund t’i kenë lindur kujtdo që ka njohuri të përpikta për një gjë ose një tjetër dhe befas është ndeshur me një tufë fantastike, të përbërë pjesërisht nga gjëra të përafërta e pjesërisht nga trillime të mirëfillta dhe që i paraqiten aspak si përralla, por si “informacion” për çështjen në fjalë. Kjo ndodh veçanërisht kur është fjala për vende të largëta. Optimistët besonin se shpikja e kinematografisë do të jepte ndihmesë për qëndrime serioze, sepse do të bënte të mundur që të jepeshin dokumente fotografike autentike përpara syve të studiuesve ose të kureshtarëve. Mirëpo në të vërtetë ndodhi e kundërta. Shkathtësia e paskrupull i gjeti mënyrat për t’i manipuluar fotografitë e rreme dhe, nëpërmjet kinemasë, e bëri mashtrimin edhe më të pranueshëm.

Në gusht të vitit 1936 erdhi në Uashington një film i shkurtër për Shqipërinë dhe, natyrisht, unë nxitova që të shkoja e ta shihja. Ishte i lezetshëm. Kishin mbledhur ca aktorë në një studio pesë mijë kilometra larg Shqipërisë dhe i kishin vënë të luanin rolin e personaliteteve shqiptare të gjalla në një episod imagjinar. Dhe gjithë kohën komentuesi, me një frazeologji bombastike dhe me tonin e një fodullëku të vetëkënaqur e pa iu dridhur zëri, bubullonte duke thënë pjesë të pasura “informacioni” krejt të ri për mua. Pastaj gati sa nuk brofa nga vendi prej habisë, kur ai në mënyrë pompoze njoftoi se gjithë popullsia e Shqipërisë është myslimane. Nëse ky orakulli i ngutur i orës së fundit do të ishte ndalur që të bënte disa hetime, për shembull, rreth fesë së Kabinetit të ministrave të Shqipërisë,d o të kishte marrë përgjigjen e thashethemeve, se nga gjashtë ministra që përbëjnë kabinetin shqiptar sot, tre janë katolikë, një është anëtar i kishës lindore ose i kishës ortodokse dhe dy janë myslimanë, madje duke përfshirë edhe kryeministrin, i cili është mysliman në këtë kabinet, kështu që është një shumicë prej katër të krishterësh dhe një pakicë prej tre myslimanësh. Në kabinetin përpara këtij, dy ministra ishin të krishterë ortodoksë, një katolik, tre myslimanë, me një kryeministër ortodoks, përsëri pra katër të krishterë dhe tre myslimanë. Por jeta është e shkurtër e studimi është i lodhshëm, njeriu është përtac nga mendja, publiku është i durueshëm dhe perdja është e siguruar kundrejt vërshëllimave, kështu që përse dikush të shqetësohet për faktet, kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym?

Shqipëria nuk është një vend mysliman. Ajo është një vend me tri besime dhe pikërisht për shkak të kësaj rrethane nuk ka fe shtetërore në Shqipëri. Nën sundimin osman, shqiptarët myslimanë, të cilët turqit i kishin afruar në pushtet, ishin vazhdimisht në qendër të vëmendjes, ndërsa shqiptarët e krishterë kishin mbetur në hije dhe nuk u dëgjohej zëri asnjëherë. Kjo ka sjellë që jashtë vendit të krijohej përshtypja se Shqipëria ishte një vend tërësisht islamik. Me zgjimin e kombësive në Evropë dhe kur gojëtaria e Gledstounit kishte ngritur kundër turqve një lëvizje të krahasueshme me kryqëzatat në Mesjetë, grekët dhe serbët, këta fqinjë të “ndershëm” të Shqipërisë nuk vonuan ta rroknin përfitimin që do ta nxirrnin, po të ngatërroheshin feja me kombësinë. Në çdo rast vihej gishti mbi fenë myslimane, që e kishte marrë një pjesë e madhe e shqiptarëve pas pushtimit, dhe në saje të “hipnotizimit nga përsëritja” kishte shpresa që bota do të bëhej të besonte se shqiptarët na ishin “turq”. Si grekët, edhe serbët kanë cilësi të shkëlqyera, të cilat unë i admiroj, por as serbët dhe as grekët kurrë nuk janë akuzuar se luajnë kriket ose se kanë dobësi për Rregullat e Markezit të Kuinsberrit. Nga të dy palët, serbët ishin më fajtorë, sepse ata e kishin ndjenjën e kombësisë të dalluar nga feja, por ka rrethana lehtësuese në dobi të grekëve, të cilët për shkak të elementëve heterogjenë që hyjnë në përbërjen e grigjave të sotme greke, kurrë nuk e kanë njohur kuptimin e vërtetë të kombësisë dhe gjithmonë e kanë ndier se feja ka qenë lidhja e tyre e përbashkët. Miku i tyre Finlej ka një vërejtje të goditur për këtë çështje: “Marrëdhëniet e shqiptarëve myslimanë e të krishterë kanë qenë shumë më miqësore se të shqiptarëve me turqit. Shqiptari, ndryshe nga greku, i ndiente lidhjet e kombësisë më të forta se ata të fesë”. Për grekët mendjelehtë feja ortodokse dhe “kombësia greke” për shumë kohë kanë qenë dhe janë ende sot dy terma të ndërkëmbyeshëm. Ata nuk mund ta kuptonin përse bullgarët, që ishin ortodoksë, nuk duhej të konsideroheshin “grekë” dhe përse dëshironin të ishin të pavarur. Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë Ali Pasha i Tepelenës pati si komandant të trupave të tij një shqiptar me emrin Thanas Vaja, të cilin autorët bashkëkohës francezë e anglezë e quanin zakonisht “gjeneral Vajas”. Rastisi që ky shqiptar trim të ishte i kishës ortodokse dhe meqë disa herë ai i kishte shtruar trazirat greke me dorë të rëndë, grekët kanë shkruar mjaft rreth tij. Thanas Vaja, i cili për grekët ishte Athanasios Vaias, vështrohej jo si një armik, por si “tradhtar”. Kjo është njësoj sikur Franca të quante “tradhtarë” katolikët e Bavarisë, që kanë luftuar kundër saj, duke u nisur nga arsyetimi se si katolikë ata nuk mund të ishin gjë tjetër veçse francezë.

II

Një aspekt tjetër për studimin e Shqipërisë nga pikëpamja e fesë është skepticizmi i pranuar i shqiptarëve. Ky opinion, ndoshta jo krejt pa baza, mund të gjurmohet në një pjesë nga letrat e ledi Meri Uortli Montegu. Kjo grua fisnike, e bija e dukës së Kingstonit dhe e shoqja e Eduard Uortli Montegusë, që më 1716 u caktua ambasador i Britanisë në Stamboll, ka shkruar më datën 1 prill 1717:

“Nga të gjitha fetë që kam parë, feja e arnautëve më duket më e veçantë. Ata janë vendës të Arnautllëkut, të Maqedonisë së lashtë, dhe ende sot ruajnë diçka nga guximi dhe qëndresa e dikurshme, ndonëse e kanë humbur emrin e maqedonëve, duke qenë grada më e mirë në Perandorinë Turke dhe i vetmi kontroll mbi jeniçerët… Këta njerëz që jetojnë ndërmjet të krishterëve dhe muhamedanëve, që nuk janë stërvitur për diskutime, e pohojnë se nuk janë aspak në gjendje të gjykojnë se cila fe është më e mirë. Por për të qenë të sigurt se nuk e hedhim poshtë tërësisht të vërtetën, ata i ndjekin që të dyja me kujdes dhe të premten shkojnë në xhami e të dielave në kishë, duke thënë për t’u shfajësuar se ditën e gjyqit të fundit ata do të jenë të sigurt se do t’i mbrojë profeti i vërtetë, por cili është ai ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë. Unë besoj se nuk ka popull tjetër në botë që të ketë një mendim kaq modest për aftësitë e veta”.1

Po të lëmë mënjanë qorollisjen e dukshme, që gabimisht i merr shqiptarët (të quajtur “arnautë” nga turqit) si një sekt fetar, një qorollisje me të cilën kanë qeshur komentuesit dhe që vjen vetëm nga përdorimi i pakujdesshëm i fjalëve në një letër familjare, është e qartë se Ledi Meri, me gjithë zgjuarësinë e saj të shkëlqyer e të famshme, nuk ia ka dalë që ta rrokte humorin e hidhur të informuesve të saj. Ende sot përditë mund ta dëgjosh në Shqipëri atë që i kanë thënë ata ushtarë: kjo është një mënyrë moskokëçarëse dhe ironike, pothuaj një shprehje e ngurtësuar, që shqiptarët e përdorin kur duan të mos hyjnë në një diskutim fetar.

Po autoriteti i ledi Merit në shekullin e tetëmbëdhjetë ka qenë shumë i madh dhe kur u botuan letrat e saj pas vdekjes, ato shumë shpejt u bënë një vepër klasike. Lord Bajroni, që i kishte studiuar, nuk e la pa e studiuar gjendjen fetare të shqiptarëve dhe mendimin e vet e ka përmbledhur në këto fjalë: “Grekët zor se i quajnë të krishterë dhe as turqit si myslimanë, dhe në të vërtetë ata janë një përzierje e të dy palëve, disa herë nuk janë as kështu e as ashtu”.1

Bashkëkohësi i tij H.S.Hjuz shprehet më shkoqur. Hjuzi, që ishte klerik anglikan dhe që për këtë çështje kishte një kureshtje më të madhe se të një diletanti, bën një vërejtje, e cila na jep çelësin e gjithë këtij keqkuptimi:

“Shqiptari muhamedan nën rendin e ri nuk u përmbahet doktrinave, riteve e ceremonive më shumë sesa në të vjetrin dhe osmanllinjtë fanatikë e vështrojnë me përçmim. Ai shpesh merr për bashkëshorte një grua të krishtere, i çon djemtë në xhami dhe i lejon vajzat të shoqërojnë nënën e tyre në kishë, deri edhe vetë shkon herë te njëri tempull fetar e herë tek tjetri”.1

Na duhet të kujtojmë faktin se pothuaj deri në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë njohja e rregullave të islamizmit në Evropën Perëndimore ka qenë vetëm e përciptë dhe fragmentare. Vetëm më 1834, kur studiuesi i madh Gustaf Flygel bëri botimin kritik të Kuranit, nisi studimi shkencor i të gjitha fushave të islamizmit. Hjuzi nuk e dinte se feja islame, ndërsa e ndalonte martesën me paganët, e lejonte ndërmjet dy personave që u takonin dy feve monoteiste, pra krishterimit dhe judaizmit. Martesa të tilla nuk kanë qenë të rralla në Shqipëri dhe që nga kohët e para të pushtimit turk u vendos një rregull lokal në Shqipëri, që përcaktonte pozitën përkatëse të burrit, gruas dhe fëmijëve për rastet e martesave të përziera: burri mbante fenë e vet dhe gruaja mbante të sajën, ndërsa kur kishin fëmijë, djemtë edukoheshin me besimin e babait dhe vajzat me të nënës. Ajo që e ka habitur Hjuzin kaq shumë, nuk ka qenë aspak gjë e çuditshme, por rrjedhimisht ka qenë pjesërisht në përputhje me ligjet e shkruara dhe pjesërisht me të drejtën zakonore të vendit.

Prapa gjithë këtyre bisedave për skepticizmin ka pasur në të vërtetë një habitje, si të turqve dhe të grekëve, kur shihnin tolerancën e ndërsjellë të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë. Një zyrtar turk i ka thënë tozerit tre çerekë shekulli më parë: “Muhamedanët këtu nuk janë muhamedanë të vërtetë dhe të krishterët nuk janë të krishterë të vërtetë”.1

Natyrisht nuk kanë qenë, nëse kërkesat për të qenë të krishterë e myslimanë të mirë ishin mostoleranca e ndërsjellë dhe përleshja fytas, siç ndodhte si rregull në pjesët e tjera të Perandorisë Turke.

III

Njoftimet fragmentare e të mjegullta, të shtuara me hamendje të nxjerra nga koka, lidhur me gjendjen fetare të kaluar e të sotme në Shqipëri, e bëjnë të nevojshëm një ripërcaktim të përpiktë. Unë do ta përmbledh këtë në pak faqe dhe, para së gjithash, do të them diçka rreth fesë parakrishtere të vendit, si për ta bërë paraqitjen të plotë, ashtu edhe për të pasur një sfond të dobishëm.

Vepra më e përditësuar për problemet e ndryshme ilire, që përfshin gjithë kërkimet e bëra në këtë fushë deri më 1931, është puna e një studiuesi gjerman, dr. M. Flus. Është e natyrshme që ai ka trajtuar edhe besimet e ilirëve dhe atë që unë po shkruaj këtu, ua detyroj pjesërisht njohurive të dr. Flusit. Ai vetë vetëm sa përmbledh kërkimet e shpërndara të të tjerëve, por në frymën e një vështrimi kritik të shëndoshë, që i jep punës të tij një vlerë më vete.

Pak gjë dihet për fenë ilire para ndikimit të pushtimit romak. Megjithatë është i sigurt një fakt qendror, pra që ajo nuk ndryshonte thelbësisht nga feja e romakëve, sepse ndërsa në viset e tjera të Perandorisë kishte fërkime të vazhdueshme për shkaqe fetare ndërmjet ngadhënjimtarëve dhe kombësive të huaja të pushtuara, në viset ilire nuk kishte asgjë të tillë. Hyjnitë vendëse ilire, ndonëse me emra të tjerë, u korrespondonin perëndive romake dhe shpejt pas pushtimit ngriheshin altare për hyjnitë, pavarësisht nga emri i vjetër ose i ri. Një autor grek i quan ilirët “shumë të respektuar kundrejt hyjnive”. Enji ka qenë perëndia e zjarrit dhe emri i tij ruhet deri më sot në fjalën shqipe e enjte, ditë e javës (fjala angleze, natyrisht, është për ditën e Thorit, që ishte perëndia e gjëmimeve). Besohet se Bindusi ka qenë hyu i burimeve të ujërave. Prema ka qenë hyjnesha e pjellorisë dhe e shumëzimit; ajo e ka lanë emrin e saj tek e premtja, që është emri shqip i kësaj dite të javës, dhe u përgjigjet Venusit të romakëve dhe Frejes së teutonëve. Surdi ka qenë perëndia e motit. Mbrojtësi i fshatit, Silvani, në kundërshtim me emrin e tij romak, ka qenë një perëndi e vërtetë ilir dhe besohet se është futur në Afrikë nga oficerët ilirë. Edhe Diana, në kundërshtim me emrin e saj, ka qenë hyjneshë ilire. Si silvani edhe Diana dalin si përfaqësues të Ilirisë në harkun e Trajanit në Benevento dhe duket e sigurt se mund të pranohet që emrat e tyre romakë kanë zëvendësuar emrat më të vjetër ilirë. Saturni në gjuhën ilire ka qenë shtuna. Një hyjni i përmendur shpesh është Medauri, i cili besohet se ka qenë perëndia e shërimit dhe figura përgjegjëse ilire për Asklepin e Grekëve. Perëndi të tjera ilire, si Latra, njihen me emër, por nuk ka të dhëna për atributet e tyre të veçanta. Ndryshe nga fetë greke dhe romake, me sa duket, feja ilire nuk ka pasur klerikë. Ky është një fakt me rëndësi, i cili ndoshta mund të shërbejë për të shpjeguar disa tipare të jetës fetare më vonë në Shqipëri. Feja e vjetër u mbajt në shumë pjesë të Ilirisë deri në shekullin e katërt të erës së krishterë dhe nuk do të ishte e tepërt të kujtonim se perandori Julian ka qenë ilir. Ka disa mbeturina pagane në disa zakone të hijshme të Shqipërisë së sotme: për shembull, zbukurimi i dyerve dhe i dritareve të shtëpive me lule dhe me degë në perëndim të diellit ditën e parë të pranverës dhe në verë, kur ka thatësirë të gjatë, veshja e një djali ose e një vajze me një kostum të bërë prej degësh e gjethesh që mbulon madje edhe kokën e fytyrën, që pastaj ai ose ajo të ecë e të kërcejë, ndërsa njerëzit rrotull e përkasin me ujë rrobën e gjelbër fantastike. Është ende në përdorim një tip i veçantë betimi solemn: beja për diellin ose për hënën, për një mal ose për një burim.

Siç e ka vënë në dukje Adolf fon Harnak, historia e vendosjes së hershme të krishterimit të Evropës Juglindore njihet pak. Përsa i përket Ilirisë së mirëfilltë, nuk ka dyshim se krishtërimi në fillim është pranuar në viset bregdetare dhe prej andej u përhap në brendësi. Një pjesë e njohur mirë nga apostulli Shën Pavël (Rom. XV, 19) ka një kuptim pak të errët: “Nga Jerusalemi dhe rreth e rrotull në Ilirikum, unë kam predikuar plotësisht ungjillin e Krishtit”, siç thuhet në versionin anglisht të autorizuar. Teksti greqisht e ka mechri, domethënë në Ilirikum. A do të thotë kjo se Shën Pavli vërtet ka depërtuar në viset ilire, apo ka ardhur deri në kufijtë e tyre, mbetet një çështje për ta diskutuar. Shën Jeromi, që vetë ishte ilir, e ka kuptuar këtë se do të thoshte që Shën Pavli e ka vizituar Ilirinë dhe duhet të mbahet si ai që ka futur krishterimin ndër ilirët. Sido që të jetë, është e sigurt se predikimi i ungjillit në Iliri nis që nga shekulli i parë i erës së krishterë dhe ndoshta ka qenë punë e apostujve të hershëm. Që në kohën e principatës së Neros, në vitin ’58, është e dokumentuar prania e një bashkësie të rëndësishme të krishtere në Durrës. Qendra peshkopale e Shkodrës, e kryeqytetit ilir, u ngrit në vitin 385 dhe prandaj ka pasur një jetë të pandërprerë për afër pesëmbëdhjetë qindvjeçarë deri më 1867, kur u ngrit në shkallën e argjipeshkvisë.

Kur në vitin 379 Perandoria Romake u nda më dysh, Ilirikumi politikisht i ra gjysmës Lindore, por nga ana fetare, mbeti drejtpërdrejt nën kishën e Romës, juridiksioni i së cilës shtrihej përtej Maqedonisë, me kryepeshkopin e Selanikut si famullitar të Papës. Përpjekja e parë për ta prishur këtë gjendje ndodhi në shekullin e tetë, gjatë Luftës së Ikonave, që nisi më 726 me ediktin e Perandorit Leoni III, që urdhëroi prishjen e fytyrave fetare në të gjitha kishat dhe në shtëpitë vetjake për të gjithë Perandorinë. Papa Grigori III u përgjigj me një shkishërim të plotë për ikonoklastët ose shkatërruesit e ikonave, duke përfshirë edhe Leonin III. Kësaj perandori ikonoklast iu përgjigj më 732, duke ia shkëputur papës nga juridiksioni Kalabrinë, Sicilinë, Kretën dhe Ilirikumin e duke i vënë ato nën autoritetin e patriarkut të Stambollit, një prelat politikan që Giboni e përshkruan si “një skllav shtëpiak nën sytë e zotit të tij, që me një shenjë të kokës e bënte të shkonte herë nga kuvendi në fron dhe herë nga froni në kuvend”.1

Në shekujt që pasuan tabloja fetare në Shqipëri ndryshoi me ndeshjet politike ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Përçarja e vitit 1054 përcaktoi një model për të gjithë Evropën Juglindore, si pasojë Shqipëria me përjashtim të një pjese të vogël në Veri, që ka qenë edhe ende mbetet katolike, ra nën juridiksionin e Perandorisë Lindore si politikisht, edhe nga ana fetare. Me rënien e Konstandinopojës më 1453, Perandoria Bizantine u shkatërrua, por Shqipëria, ndonëse ende vazhdoi luftën kundër turqve me Skënderbeun trim, mbeti nominalisht nën juridiksionin e kishës Ortodokse Lindore.2

Mehmeti II dhelparak, pushtuesi i Konstandinopojës, për ta thelluar hendekun ndërmjet krishterimit Lindor e Perëndimor, dhjetë ditë pas sulmit të Konstandinopojës caktoi si patriark të kishës greke Genadin, i cili kishte qenë kundërshtari më i vendosur kundër bashkimit të kishave greke e latine. Genadit iu dhanë garanci për “privilegjet dhe mbrojtjen e veçantë, si dhe për juridiksion të gjerë mbi grigjën e tij” dhe në fakt u bë sundimtari shekullor i mijëra të krishterëve ortodoksë në Stamboll, duke pasur pushtet të “rrahë, të burgosë e deri të ekzekutojë” njerëzit e varur prej tij.3

Ky pushtet i gjerë që iu dha Genadit dhe pasuesve të tij patriarkë, krijoi mundësinë për t’u përpjekur që të greqizohen të krishterët jogrekë nën juridiksionin e tyre. Ata i detyruan besnikët ta ushtronin fenë në gjuhën greke dhe i terrorizuan ata klerikë që nuk pranonin. Kështu elementi jo grek në Perandori nisi të mendohet nëse mos ishte më e përshtatshme të përqafonte fenë e pushtuesve, në vend që të bluhej ndërmjet dy gurëve të mullirit, njëri politik dhe tjetri fetar.

Është mjaft interesante që shqiptarët, të cilët qenë në gjendje t’u bënin ballë sulmeve turke për njëzet e pesë vjet të mira, pasi ishin nënshtruar vendet e tjera fqinje, ishin të parët dhe i vetmi grup i një kombësie që e përqafoi besën myslimane në shkallë aq të gjerë. Kthimi në fenë e re nisi me familjet kryesore dhe u përhap ndërmjet fshatarëve në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë prozelitizmi u bë pothuaj i plotë, duke dhënë si përfundim që sot në Shqipëri ka afër 70 për qind myslimanë, 20 për qind ortodoksë lindorë dhe 10 për qind katolikë romakë. Ky kthim i gjerë mund të shpjegohet me faktin se shqiptarët ishin një bashkësi kombëtare numerikisht më e vogla ndërmjet popujve armiqësorë, të ndrydhur midis sllavëve nga njëra anë dhe grekëve nga tjetra. Duke bërë një përpjekje të dëshpëruar për mbijetesë, ata vendosën të bëhen zotër të trojeve të veta dhe përqafuan fenë e pushtuesve, duke fituar kështu prestigjin politik, ashtu edhe ushtarak në Perandori.

Myslimanizimi i Shqipërisë pati anët e veta të mira dhe të këqija. Duke u bërë vëllezër besimi me turqit, ata patën mundësinë të arrinin poste të larta në ushtri dhe në administratën civile, por kështu ata e identifikuan veten me Perandorinë dhe prandaj e vonuan çlirimin e vendit nga turqit. Prandaj Shqipëria, vendi i fundit në Europën Juglindore që iu nënshtrua turqve, ishte gjithashtu vendi i fundit që fitoi lirinë. Lidhur me këtë, ka interes të thuhen disa fjalë për reagimin e njeriut të zakonshëm në Shqipëri kundrejt kthimit masiv të paraardhësve të tij në besimin mysliman. Siç bisedohet nëpër kafene, ka dy “shkolla” të mendimeve për këtë çështje. Njëra thotë se po t’i kishin qëndruar shqiptarët besnikë fesë së stërgjyshërve, vendi sot do të ishte më i madh dhe do të kishte qenë i pari që do të çlirohej nga zgjedha e turqve. Shkolla e kundërt thotë se po të kishin mbetur shqiptarët të krishterë, ata do të ishin asimiluar nga fqinjët. E meqë historia nuk ecën kurrë së prapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën, del që është e kotë t’i gërmojmë më tej këto çështje.

1 Lady Mary Wortley Montagu, Letters and Works, bot. Lord Wharncliffee Filadelfia, 1837, vëll.I, f.252.
1 Lord Byron, Works, bot. Thanas Moore, Londër 1832 vëll. VIII, f.113.
1 T.S.Hughes, Travels in Greece and Albania, Londër, 1830, bot. 2, vëll. II, f.105.
1 H.F.Tozer, Researches in the Highlands of Turkey, Londër 1869, vëll. I, f.206.
1 Edward Gibbon, Deeline and Fall of the Roman Empire, bot. 5, Londër, 1923, vëll. V, f.256.
2 Shënim i botuesit: Ky paragraf dhe ata që vijnë janë shkruar nga botuesi.
3 William S. Davis, A Short History of the Near East. Nju Jork, 1922, f.211, 214.

    Leave Your Comment

    Your email address will not be published.*